Lajmet e fundit

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se LDK dhe Lëvizja Vetëvendosje po punojnë në eliminimin e dallimeve sa i përket çështjeve të mëdha politike dhe programeve të tyre, njofton Klan Kosova.
Pavarësisht kësaj, Haziri ka përmendur që Lëvizja Vetëvendosje ka qenë shumë kundërshtuese deri në agresivitet politik dhe deri në masa të ashpra opozitare karshi LDK-së.
“Target i parë ka qenë Isa Mustafa si kryetar i LDK-së dhe kryeministër vendit", tha Haziri në Zona B të Klan Kosovës.
“Kam qenë ithtar që në tema të tavolinës kemi biseduar për ato që na përafrojnë dhe që na bashkojnë në këtë fazë”, tha Haziri duke argumentuar se kur dëshirohet të krijohet partneriteti atëherë nuk nxirren tema që i ndajnë.
Sidoqoftë, Haziri ka thënë se ekipet e LDK-së dhe VV-së kanë punuar dhe janë përafruar, si dhe janë pajtuar në politikat sektoriale dhe në programin e përbashkët.
Ai tha se janë dakorduar edhe që t’i diskutojnë dallimet dhe t’i eliminojnë ato sa i përket temave si Demarkacioni, Asociacioni , ligji për fetë dhe ligjet tjera pjesë të një pako prej pesë veprimesh politike, në mënyrë që t’i marrin bashkë përgjegjësitë dhe obligimet.