Lajmet e fundit

Kryeministri i vendit Isa Mustafa, pas takimit që pati me kryetarin e Gjilanit, Lutfi Haziri, kanë vënë gurëthemelin e objektit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë qytet.
“E falënderoj kryeministrin Mustafa për mbështetjen e drejtpërdrejt për Komunën e Gjilanit, në këtë rast për ndërtimin e QKMF-së, e cila përveç ambulantës në Llashicë që do të filloj të ndërtohen vitin e ardhshëm, përmbyllë ciklin e investimeve të plota në shëndetësinë primare. Mund të themi se jemi krenarë me këto arritje”, ka deklaruar kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri.
Ai ka paralajmëruar se në vitin e ardhshëm po përgatiten për ndërtimin e korridorit Gjilan-Ferizaj dhe Gjilan-Prishtinë, sikurse edhe fillimin e autostradës, e cila është investim i Qeverisë.
Mustafa, gjatë adresimit para gazetarëve, është shprehur i lumtur që me vënien e gurëthemelit për QKMF-në, po përmbyllet cikli i investimeve në shëndetin primar në Gjilan.
“Me vënien e gurthemelit për QKMF-në, jemi shumë të lumtur që po përmbyllet cikli i shëndetit primar në këtë komunë. Natyrisht, Gjilani dhe kjo pjesë e Kosovës ka treguar rezultate shumë të mira për kujdesin shëndetësor. Kemi rezultate shumë të mira në zhvillimin ekonomik sepse kemi një ekonomi, e cila është mjaft aktive dhe e mjaft e diversifikuar, e cila dallon nga ajo që kemi arritur në pjesët tjera të vendit”, ka deklaruar kryeministri vendit.
Ndërtimi i objektit të ri të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare kap shifrën e mbi 1.4 milionë eurove, transmeton Klan Kosova.