Lajmet e fundit

Besnik Hasi duhet të jetë me të vërtetë i lumtur në këtë start të aventurës së tij te kampionët grekë të Olimpiakos.
Trajneri shqiptar u prit me skepticizëm nga mediat dhe opinioni sportiv në Greqi, por rezultatet kanë qenë në favor të Hasit.
Olimpiakos ka marrë katër fitore dhe një barazim, në pesë ndeshje zyrtare të zhvilluara nën drejtimin e Hasit, ku më e fundit ishte transferta ndaj Rijekës, që solli edhe kualifikimin për në fazën e grupeve të Champions League, shkruan TCH, transmeton Klan Kosova.
"Kur mësova se do të përballeshim me Rijekën, nuk isha aspak i lumtur, sepse e dija që ata do të na e bëjnë të vështirë. Sot u treguam të zotët që i goditëm në momentin e duhur dhe më pas e kërkuam dyfishimin, por në mënyrë të kujdesur. Komplimenta Rijekës për atë çka dha në këto 180 minuta përballë nesh. Jam shumë i lumtur për kualifikimin, sepse ky ishte një nga objektivat më të rëndësishëm të klubit. Tani të presim shortin e fazës në grupe dhe të bëjmë maksimumin për të qëndruar sa më gjatë në këtë kompeticion", tha Hasi pas ndeshjes ndaj Rijekës.