Lajmet e fundit

Ish kryetari i asamblesë së gjyqtarëve të EULEX-it në Kosovë, Malcolm Simmons, të hënën e kësaj jave e nisi duke e akuzuar rëndë para deputetëve kosovarë misionin evropian të sundimit të ligjit.
Sipas tij EULEX ka vepruar i ndikuar politikisht, dhe si prokurorët ashtu edhe gjyqtarët i kryenin lëndët edhe mbi baza korrupsioni e porosie.
Meqë Simmons kishte shërbyer gjatë së njëjtës periudhë edhe si gjyqtar i Gjykatës Supreme, Klan Kosova ka intervistuar Fejzullah Hasanin, ish kryetarin e këtij institucioni, dhe sipas tij, as Simmons nuk është krejt i pafajshëm për veprimet që janë kryer.Hasani ka treguar se si e pati ftuar Malcolm Simmons në zyre për t’ia shprehur shqetësimin e tij për kaosin që po krijohej në sistemin gjyqësor, por në këmbim gjyqtarët e EULEX-it i patën mbledhur nënshkrimet për t’u ankuar për Hasanin pranë Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Prokurorit disiplinor.
Në intervistë për Klan Kosovën, Fejzullah Hasani thotë se të gjitha vendimet arbitrare që u morën nga trupa gjykues të përbërë me shumicë gjyqtarësh nga EULEX-i, siç janë rastet Kleçka dhe Drenica, po bëheshin në dijeni të plotë të Simmons, që në ato kohë nuk shihte ndonjë problem.
Hasani nuk ka kritikar vetëm Simmonsin, por edhe kryetarin pasues të asamblesë, Gerrit Sprenger. Pasi EULEX-i nuk kishte më fuqi ta përbënte shumicën në panel gjykues, misioni e kërcënoi gjyqësorin ta mveshte me këtë rol në vend të Kuvendit, që asokohe përballej me ngecjen e krijuar nga VLAN.
Ish kryetari i Supremes thotë se shumica e gjyqtarëve, e edhe kryesuesit e tyre, vinin nga vende evropiane prej nga ishin shkarkuar edhe nga shkallë të ulëta të gjykatave, sikur edhe Simmons, dhe për këtë fajtor janë vendorët që i kanë pranuar.