Lajmet e fundit

I ftuar në Zona B, sonte është lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Me Haradinaj, është duke u diskutuar në lidhje me takimin që ai kishte dje me kryeministrin Isa Mustafa, zëvendësin e tij Hashim Thaçin si dhe me presidenten Atifete Jahjaga.
Sipas Haradinaj është e pamundur që zgjidhja politike të jetë vetëm me bisedime.
“Është utopike me mbajt shpresë që zgjidhja është në tavolinë, mirëpo gjithashtu duhet me i’a dhanë mundësinë argumenteve që akumulohen ose që krijohen në shesh nga qytetarët nga kundërshtimi qytetar, e ato argumente na duhet t’i sjellim në tavolinë, si përshembull peticioni, sepse ai ishte një kundërshtim qytetar e ne e sollëm në institucion”.
“Dje ka qenë një mundësi e mirë, që opozita krahas kundërshtimit, krahas gjithë asaj që bënë, edhe ta prezantojnë këtë kauzë në tavolinë, se për çka bëhet fjalë ku janë qëllimet, pra si mendohet dalja nga gjendja e krijuar”.
Haradinaj tha se ndihej në siklet, në ato momente të së hënës paradite.
“Dje nuk ka qenë aq lehtë, unë kam pasur një farë nervoze e të them drejtën një ndjenjë jo aq të mirë, se në një anë është Presidentja që mundohet të ruaj neutralitetin e vet, pastaj janë gjithë pushtetarët, qëndrimet e ndërkombëtarëve, pra nuk ishte një situatë aq e lehtë, e vetvetiu ke qëndrime krejtësisht ndryshe nga secili në tavolinë, pra nuk është aq e thjeshtë që të prezantosh një kauzë të tillë”.
Por pranon se qëndrimin e tij e ka mbajtur qëndrimin e tij me shumë dinjitet.
“E kam bërë me kujdes, me respekt, unë nuk e kam keqpërdorë tavolinën, përkundrazi kam shkuar atje që të shpjegojë se ne e kemi gjendjen e rënduar në vend, i kam numëruar argumentet e veçanërisht kam thënë se këtë gjendje e ka përmbys me dy marrëveshjet e famshme”.
Haradinaj tregoi arsyet pse në takimin e së hënës nuk ka folur për Asociacionin dhe Demarkacionin.
“Unë nuk kam pranuar që të diskutoj për këto marrëveshje, sepse ish qëllimi të hyhet në detaje, në teknikalitete por nuk ka nevojë sepse për Bashkësinë e Komunave Serbe ka fol edhe Kushtetuesja e pse të flas unë?”.
“Ose për kufirin, për Demarkacionin, Presidentja ka marr një iniciativë, do të thotë është hapur tema, e unë nuk pranoj që të diskutoj për çështje teknike, por unë kam thënë se në gjendje në të cilën kemi ardhur duhet të shkojmë në zgjedhje”.