Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se “situata energjetike në Kosovë, kështu si është, mbetet e pa perspektivë”, njofton Klan Kosova.
Hardinaj, që sot vizitoi punën në Korporatën Energjetike të Kosovës, tha se “nuk mund të shtyhet për as edhe një ditë rigjenerimi i kapaciteteve ekzistuese, e as krijimi i kapaciteteve të reja”.
“Ka mungesë për të paktën 500 megavatë orë energji elektrike dhe situata e pa perspektivë në sistemin energjetik të Kosovës, kërkon ndërhyrje urgjente të shtetit”.
Kryetari i AAK-së, deklaroi në llogarinë e tij në Facebook se, në vend të liderit të Ballkanit në energji, Kosova është kthyer në një problem të përhershëm.
“Kosova me rezervat më të mëdha të qymyrit në Evropë, po shndërrohet në problem energjetik të rajonit”.
“Komoditeti për të mos ndërhyrë në sistemin energjetik të vendit, do ta rrezikojë skajshmërisht edhe ekonominë edhe konsumatorin”.
“Sistemi energjetik i Kosovës duhet t’i hapë dyert për investitorë të mundshëm të vendit dhe të huaj, sepse politikat e gabuara në këtë fushë, e kanë shndërruar Kosovën, nga një prodhues potencial, në një problem rajonal energjetik”.
Haradinja shkroi në llogarinë e tij se gjithmonë kosovarët po mbesin të dëmtuar për shkak të keqmenaxhimit e vjedhjes.
“Për më tepër, në bisedë me menaxhmentin e KEK-ut, theksova se dështimet në të gjitha hallkat e sistemit energjetik në Kosovë, duke përfshirë edhe këto të fundit me ndarjen e “hises energjetike” me operatorë të tjerë, nuk mund ta shndërrojnë konsumatorin kosovar në të ‘dënuar’ ose në viktimë, që gjithmonë, me xhepin e tij, t’i paguajë dështimet, dallaveret e hajnitë… që nga adresa të ndryshme ndodhin në këtë sistem”.
klankosova.tv