Lajmet e fundit

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se as nesër Gjykata në Colmar të Francës mund të mos marrë vendim për lirimin e tij.
Por, ai porosit mbështetësit që të jenë të qetë, meqenëse e drejta është plotësisht në anën e tij.
Ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, te enjten do të përballet për të tretën herë radhazi me gjykatën Franceze në Colmar, nën akuzat për krime lufte.
“Në seancën e nesërme janë mocionet nëse mund t’i quaj kështu përfundimtare, prokuroria edhe njëherë paraqet argumentet e veta pse janë plotësuar kushtet për ekstradim në Serbi, ndërsa mbrojtja në këtë rast ne, do të dorëzojmë mocionin tonë pse kjo kërkesë për ekstradim është e pabazë dhe është politike. Nuk ka bazë ligjore se është përsëritje e akuzave që kanë ekzistuar para Tribunalit të Hagës. Pra nesër kemi ballafaqimin. Ekziston mundësia teorike për vendim edhe nesër, por pritet që vendimi të merret në ditët në vijim, pra jo nesër’, tha ai në një intervistë për Gazetën Express..