Lajmet e fundit

Kosova gjithmonë e ka pasur mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kjo miqësi do të jetë e përhershme, ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, njofton Klan Kosova.
Haradinaj shkruan se kjo mbështetje u dëshmua edhe tani kur “Kongresi Amerikan përmes ‘Defense Authorization Act’ i ka bërë thirrje Administratës që të punojë me Republikën e Kosovës, për ta përgatitur atë për të hyrë në Programin e Partneritetit për Paqe”.
Por sipas liderit të AAK-së, mbështetja duhet të nënkuptohet edhe si obligim i Kosovës ndaj partnerit të madh.
“Ky mesazh që na vjen nga SHBA-të, nuk duhet parë vetëm si një mbështetje, por edhe obligim yni që t’i përmbushim gjithë ato standarde, për të qenë një shtet i zhvilluar e demokratik”.
“Në këtë rrugëtim, Kosova ende ka nevojë për mbështetjen amerikane, në vendosjen qeverisjes demokratike dhe në luftimin e krimit dhe korrupsionit, si parakushte këto që Kosova të bëhet pjesë e familjes së madhe evropiane””, ka shkruar Haradinaj.