Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në hapjen e “Javës Globale të Ndërmarrësisë 2017", njofton Klan Kosova.
Duke vlerësuar përparimin e ecjes së sipërmarrësve të ndryshëm, Haradinaj tha se “sot kur Qeveria bashkohet në Javën Globale të Ndërmarrësisë, Kosova po ndjen nevojën të zë trendët e botës”.
Për këtë, kryeministri ka falënderuar Qendrën Kosovare për Inovacion, që nuk po e lë Kosovën të mbesë mbrapa këtyre zhvillimeve globale.
“Njerëzit në Kosovë janë ndërmarrës në shpirt, kanë guxim dhe vizion, por edhe ide, të cilat në shumicën e rasteve gjejnë rrugën për realizim”, ka vlerësuar kryeministri Haradinaj.
“Ekzekutivi i vendit ka plot mundësi dhe ka plot situata që mundet me qenë me ju. Detyrë jona e përbashkët do të jetë që shpirtin tuaj ndërmarrës, idetë tuaja, mënyrën si ju e keni gjet një nisje, mundësisht të jemi edhe ne me ju, në momentin kur ai është i nevojshëm”, theksoi kryeministri, duke shtuar se ekzekutivi i një vendi të vogël, siç është Kosova, do të duhet të jetë afër secilit në atë ditë të nisjes.
klankosova.tv