Lajmet e fundit

Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj ka thënë se Kosova nuk e ka të lehtë hapjen e vendeve të punës.
Këto komente, shefi i Qeverisë i bëri në konferencën për bujqësi të qëndrueshme, pylltari dhe zhvillim rural në Kosovë, të organizuar nga Ministria e Bujqësisë.
“Vendet e punës vijnë si kërkesa nga tregu, andaj të konsumohen prodhimet vendore, ngaqë kjo shpie te stimulimi i prodhuesve vendorë dhe kështu edhe deri te hapja e vendeve të punës”, shtoi ai.
Atje, kreu i ekzekutivit theksoi poashtu se bujqësia është e rëndësishme dhe meriton vëmendje të madhe.
“Është lajm i mirë, që bujqësia ka marrë vëmendjen e Qeverisë së Kosovës dhe kjo vërtetohet me rritjen e buxhetit nga viti në vit”, tha kryeministri, duke falënderuar edhe partnerët, si Komisionin Evropian, USAID-in.
Kryeministri tha gjithashtu se Qeveria do t’i kushtojë vëmendje këtij sektori dhe vitin që vjen do të punojë për një zhvillim të qëndrueshëm të bujqësisë, duke vlerësuar lartë resurset edhe të pylltarisë së Kosovës.
Nga ana e tij, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikallo, ka prezantuar arritjet e deritashme në zhvillimin e bujqësisë dhe ka prezantuar prioritetet në të ardhmen, në të cilat do të fokusohet ministria që ai drejton, transmeton Klan Kosova.