Lajmet e fundit

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, në ceremoninë e ndërrimit të drejtorit të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s në Kosovë (NALT), nga gjenerali Ralf Hoffman te gjenerali Uwe A. Becker ka deklaruar se Kosova është e gatshme për tranzicionin e FSK-së.
“Kosova është e zotuar që të jetë partnere në politikë, ekonomi dhe në siguri. Për këtë ju konfirmojë të gjithë juve se jemi të gatshëm për tranzicionin e forcës sonë, jemi të gatshëm të marrim pjesë në partneritetin për paqe. Por, jo vetëm në partneritetin për paqe".
"Ne synojmë që t’i bashkohemi NATO-s dhe me këtë e konfirmojë gjithashtu se misioni i NATO-s dhe i KFOR-it respektohet nga njerëzit e Kosovës dhe për ne do të jetë përherë faktor dhe garantues i paqes”.
Haradinaj falënderoi gjeneralin Hoffmann për punën e deritashme duke thënë se ishte model për oficerët, ndërsa duke i uruar mirëseardhje drejtorit të ri të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s në Kosovë (NALT), gjeneralit Uwe A. Becker, tha se atë e presin punë të mëdha.
I pari i ekzekutivit kosovar tha se nga viti 1999 deri më sot shumë vajza dhe djem të shteteve të respektuara kanë shërbyer në Kosovë për ta ndalur tragjedinë por edhe për të mbajtur paqen.
“Sot jetojmë në paqe në Kosovë. Kosova është shtet paqësor falë shërbimit tuaj dhe ju falënderoj të gjithë juve që keni shërbyer në shtetin tonë gjatë gjithë kohës dhe juve që po shërbeni sot këtu".
"Ne kemi mësuar se sa e rëndësishme është të mbahet paqja dhe jemi zotuar që të qëndrojmë paqësor dhe të jetojmë në paqe me të gjithë ata që jetojnë në Kosovë, serbë, ashkalinjë, romë, egjiptian, boshnjak, goranë, por edhe me fqinjët tanë. Ky është zotimi ynë dhe ju falënderoj për gjithë atë që keni bërë për paqen tonë”.
Kryeministri kosovar falënderoi NALT dhe zyrtarët e saj që shërbejnë në Kosovë, të cilët jo vetëm se ndihmuan FSK-në, por transferuan shpirtin e forcës sonë te shtetet e NATO-s.