Lajmet e fundit

Pala serbe ka paralajmëruar formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në mënyrë të njëanshme.
Ishte vetë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq i cili ka thënë se do të sugjerojë që Asociacioni i komunave serbe të formohet në përvjetorin e pestë të nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit më 20 prill.
Për këtë deklaratë të Rakiqit, ka pasur një koment kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, njofton Klan Kosova.
“Mendoj se është një paralajmërim i ngutshëm i tyre, i dëmshëm, nuk bën ashtu”.
“Pamë se kur nuk ka komunikim të mirëfilltë, deri ku mund të shkojnë zhvillimet. Nuk është mirë të testohet deri në pakufi durimi i askujt”.
“Më mirë është t’i kthehemi tavolinës, të ecin temat së bashku, por njëanshëm, nuk besoj së është në dobi të askujt”.
Megjithatë, Haradinaj është shprehur optimist se do të gjendet gjuha e komunikimit që punët të kryhen “si i ka hije, në tavolinë”.
I pari i ekzekutivit këto komente i ka bërë pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës.