Lajmet e fundit

Gazetari i Klan Kosovës, Shkodran Gajraku, njofton se Ramush Haradinaj para pak çastesh ka arritur në aeroportin e Rinasit ne Tiranë, nga Lubjana.
Shumë zyrtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë dalë ta presin kryetarin e partisë së tyre.
Lideri i AAK-së u ndalua nga shteti slloven para dy ditësh, duke u bazuar në një fletarrest lëshuar në vitin 2006 nga shteti i atëhershëm, Serbia dhe Mali i Zi, për ish komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Është e papranueshme kjo sjellje, për një vend që e di se Jugosllavia nuk ekziston më, Serbia dhe Mali i Zi nuk ekziston më, që e di se Kosova është një vend i pavarur, ka diçka gabim këtu”.
“Kjo flet për vendin tuaj, për sistemin tuaj dhe unë besoj edhe për politikën tuaj”, ka deklaruar dje Haradinaj i intervistuar nga Radio Televizioni slloven.
Dje Parlamenti i Kosovës e votoi një rezolutë e cila përmbante tre pika, njëra nga të cilat parashihte dërgesën e një note diplomatike, proteste, shtetit të Sllovenisë, transmeton Klan Kosova.
Kurse sot gazeta britanike Reuters shkroi se Gjykata e Kranjit në Slloveni e ka liruar Haradinajn pasi që Ambasada e Kosovës në Lubjanë ka adresuar një notë diplomatike, ku e ka konfirmuar se shtetasi kosovar, Ramush Haradinaj, ka qenë transit në Slloveni duke u kthyer nga një mision special diplomatik, dhe për këtë arsye Sllovenia e ka liruar.
Foto: Klan Kosova