Lajmet e fundit

Ndërmarrja Publike “Posta e Kosovës” dhe Komuna e Prizrenit kanë përuruar një zyrë postare brenda objektit të Kuvendit Komunal.
Prizreni është komuna e parë në Kosovë që në ambientet ku është e vendosur administrata komunale hapet edhe një zyrë postare në të cilën qytetarët kanë mundësi t’i kryejnë pagesat për shërbimet e ndryshme të komunës si dhe obligimet tjera financiare.
Përurimin e kësaj zyre postare e kanë bërë kryeshefi ekzekutiv, Sejdi Hoxha dhe kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, të cilët kanë deklaruar se qëllimi i Postës dhe i Komunës është që për qytetarët e Prizrenit të krijohen kushtet që të gjitha shërbimet t’i kenë brenda një objekti, transmeton Klan Kosova.
“Nga ky vend u bëjmë thirrje të gjithë kryetarëve dhe komunave tjera të Kosovës, por edhe institucioneve tjera dhe agjencive të ndryshme publike, se Posta e Kosovës është e gatshme të bashkëpunojë edhe me ta, kurdo që ata të jenë të gatshëm për të ju ofruar qytetarëve të tyre shërbime sa më kualitative dhe sa më të lira” ka thënë Hoxha.