04.10.2020 · përditësuar para 2127 dite1 min lexim
Me moton “Të ecim shtigjeve të Dardanisë”, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka organizuar të dielën Ditën Botërore të Turizmit, me ç’rast është bërë edhe hapja e sezonit turistik vjeshtë-dimër.
Ky aktivitet është mbajtur në Brod të Dragashit ku është thënë se fuqizimi i turizmit do të ndikojë drejtpërdrejt në krijimin e vendeve të punës, njofton Klan Kosova.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, ka thënë se së bashku me homologun shqiptar, Blendi Klosi, janë duke u përpjekur që të promovojnë vendet turistike të Kosovës dhe Shqipërisë.
Ministri Krasniqi ka ftuar bizneset që të investojnë në fushën e turizmit në Kosovë dhe Shqipëri.
“Duke parë se turizmi në vendet tona ka potencial të madh për të ju ofruar vizitorëve, ne dy ministrat jemi dakorduar që të bëjmë promovimin e vendeve së bashku. Jemi duke punuar për të krijuar guida për vizitorët. Sektori i turizmit është mjaft i rëndësishëm në vendin tonë dhe unë jam përkushtuar që përmes dikasterit që drejtoj duke rritur buxhetin në fushën e turizmit. I ftoj bizneset nga vendi ynë dhe jashtë që të investojë në fushën e turizmit në këto të dyja vendet”, është shprehur ministri Krasniqi.
Ndërkohë ministri i Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Blendi Klosi, ka shtuar se kufiri administrativ nuk duhet të jetë problem për promovimin e destinacioneve turistike në mes të dy shteteve.
Edhe zëvendëskryeministrja e Kosovës, Albulena Balaj-Halimaj, ka thënë se qeveria Hoti do ta ketë prioritet turizmin.
Ajo ka vlerësuar se zhvillimi i turizmit sjell fitime ekonomike dhe vende të reja të punës.
klankosova.tv
●●●
Shpërndaje këtë artikull
H
SHKRIMI NGA
H.S
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.