Lajmet e fundit

Observatori dhe Planetariumi i parë Kombëtar në Kosovë është hapur sot në Rashincë të Shtimes, përmes një ceremonie solemne. Hapja e kësaj qendre shkencore, ndërtimi i së cilës kushtoi mbi 300 mijë euro, po konsiderohet të jetë ndër ngjarjet më të veçanta dhe historike për vendin tonë.
Vrojtimi i diellit me teleskop, punëtori praktike me teleskop të udhëhequr nga astronautë me renome botërore, shfaqje shkencore në planetarium, vrojtimi i qiellit gjatë natës para teleskopit të Observatorit dhe Planetariumit, janë vetëm disa nga aktivitetet që qytetarët e Kosovës do të mund t’i bëjnë me inaugurimin e kësaj qendre.
Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu tha se përurimi i këtij projekti shënon ditën më të veçantë dhe historike për këtë komunë dhe shtetin tonë. Ai u shpreh se hapja e Observatorit dhe Planetariumit sot të ndikojë thellë në të ardhmen e fëmijëve.
Aliu tha se me kushtet që ofron kjo qendër, të rinjtë do të kenë mundësi të përjetojnë mrekullitë e universit, duke zgjuar kureshtjen e tyre.
Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci derisa u shpreh e lumtur për inaugurimin e Observatorit dhe Planetariumit, tha se kjo qendër jo vetëm se po ofron kushtet e nevojshme për hulumtimin nga shkencëtarët tonë, por është edhe një stimulim i jashtëzakonshëm për të rinjtë.
Ndërkaq, drejtori i Celestron dhe donator kryesor i observatorit, Corey Lee përmes një videoje potencoi se Observatoriumi dhe Planetariumi nuk është thjeshtë një ndërtesë, por është rezultat i një udhëtimi të jashtëzakonshëm të mbushur me pasion dhe këmbëngulje.
Lee u shpreh se janë të ngazëllyer të shohin se si ky teleskop frymëzon kuriozitet dhe zbulim për brezat e ardhshëm.
Donator i Teleskopit Diellor më të madh në Evropën Lindore, që e solli në Kosovë Stephen W. Ramsden, tha se organizata e tij nga viti 2015, kur edhe kishte kontaktuar me themeluesen e organizatës së Astronomisë (AOK), kanë dërguar teleskopë në Kosovë.
Teksa u shpreh krenar për këtë ngjarje, ai tha se mbështet njerëzit që punojnë shumë.
Ndërtimi i kësaj qendre ka filluar para rreth dy vjetësh, kur edhe u nënshkrua marrëveshje mirëkuptimi mes ministres së Arsimit Nagavci dhe kryetarit Aliu, për realizimin e projektit ‘Ndërtimi i Observatorit dhe Planetariumi i parë në Kosovë’ si bashkëfinancim mes MASHTI-t dhe Komunës së Shtimes.
Observatori dhe Planetariumi do të jenë në shërbim të zhvillimit të aktiviteteve mësimore dhe jashtë-mësimore të nxënësve dhe të rinjve nga gjithë territori i Republikës së Kosovës. /Kosovapress