Lajmet e fundit

Qendra Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka pranuar donacionin prej 40 karrocave për bartje të pacientëve në nevojë nga HANDIKOS.
Me këtë rast, drejtor i përgjithshëm i SHSKUK-së, dr. Curr Gjocaj, tha se në kuadër të bashkëpunimit të mirë me organizatën Handikos, ka ardhur deri te realizimi i donacionit prej 40 karrocave për bartje të pacientëve.
“Me HANDIKOS-in, kemi pasur bashkëpunim të mirë ndër vite, jemi duke punuar për funksionalizim të komisioneve të përbashkëta për QKUK dhe gjithë SHSKUK, që kanë të bëjnë me zbatimin e Ligjit për tetraplegjik dhe paraplegjik, pra komisione që do të bëjnë vlerësimin e gjendjes shëndetësore të këtyre kategorive, poashtu, kemi funksionalizuar edhe njësinë spinale në kuadër të Klinikës së Ortopedisë, e cila është në fillet e saja dhe pritet të zhvillohet” u shpreh drejtori Gjocaj.
Afrim Maliqi, drejtor i HANDIKOS, theksoi se së fundmi kanë hapur një punishte për karroca, e poashtu kanë pajisur anëtarët e shoqatës në gjithë Kosovën.
Sipas tij, bashkëpunimi me QKUK, por edhe me Ministrinë e Shëndetësisë ka qenë i mirë, por nevojitet përkrahje edhe më e madhe nga ana e institucioneve, meqë organizata tash për tash punën e saj e bazon në projekte të ndryshme.