Lajmet e fundit

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka dorëzuar sot në Zyrat e Komisionit Evropian, Programin për Reforma në Ekonomi 2018-2020, transmeton Klan Kosova.
Ai tha se programi i reformave edhe këtë vit u përmbahet plotësisht instruksioneve dhe kritereve për analizë rigoroze të përcaktuara nga Komisioni Evropian.
“Për herë të parë, ky program është hartuar me pjesëmarrje të drejtpërdrejtë të palëve me interes nga shoqëria civile dhe komuniteti i bizneseve, duke u bazuar në një proces gjithëpërfshirës të konsultimeve. Po ashtu, edhe institucionet e pavarura publike kanë dhënë kontribut të drejtpërdrejt në azhurnimin e këtij programi”, tha mes tjerash Hamza në fjalimin e tij.
Për më tepër, Hamza tha se janë të vetëdijshëm që Kosovën e pret një rrugë e gajtë e transformimit për të arritur konvergjencë me anëtarët e Unionit.
“Përsosja e ekonomisë së tregut kërkon reforma afatgjate të cilat krijojnë një ambient për rritje të produktivitetit dhe gradualisht zhvillojnë aftësinë e ekonomisë për t’u përballur me konkurrencën e një tregu të vetëm evropian”.
“Prandaj, programi për reforma në ekonomi është platformë që na mundëson përsosjen e planifikimit strategjik buxhetor dhe politik dhe mundëson efektivitet më të lartë të qeverisjes sonë”, shtoi ndër të tjera ai.
Ai vijoi duke thënë se në azhurnimin e këtij viti, janë konkretizuar masat e mëhershme, të cilat i ka sjellë në linjë me dokumentet e fundit strategjike.
“Në azhurnimin e vitit 2018, programi ka konkretizuar më tej masat e mëhershme dhe i ka sjellë ato në linjë me dokumentet e fundit strategjike, duke përfshirë edhe Programin e Qeverisë 2017-2021”.
“Fokusi kryesor është vendosur në përmirësimin e ambientit rregullator, adresimin e boshllëqeve në infrastrukturën publike, orientimin e shpenzimeve për sektorët prioritar (rendit, edukimit, dhe shëndetësisë), të gjitha këto me një fokus të qartë në krijimin e kushteve për zhvillim të udhëhequr nga sektori privat”.
“Rritja ekonomike pritet të tejkalojë 4.5%, ndërsa stoku i borxhit po rritet me kujdes, kryesisht përmes kredive koncesionare. Rreziqet janë të balancuara”.