Lajmet e fundit

Deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu dhe ministri i Financave nga radhët e PDK-së Bedri Hamza janë përplasur sot gjatë seancës së Kuvendit lidhur me çështjen e shpenzimit të buxhetit për vitin 2019.
Haxhiu deklaroi se ministri Hamza ka bërë vepër penale duke shkelur ligjin për financat publike. Ajo kërkoi llogari nga Hamza për vlerat e shpenzuara, që ajo i quajti në mënyrë jo ligjore.
Deputetja e VV-se pyeti ministrin e Financave se sipas cilës bazë ligjore po i vijon shpenzimet e buxhetit të shtetit në vitin 2019, meqë Kuvendi ende nuk e ka miratuar buxhetin për këtë vit.
Si përgjigje Hamza e quajti Haxhiun juriste të dobët, duke i thënë që mos ta bllokojë komisionin me qëllim të pamundësimit të aprovimit të buxhetit.
“Zonja Haxhiu me sa e di unë je juriste dhe me folë diçka çka të niva tash, sinqerisht është çudi, seriozisht u befasova, lexo ti sa dush ligjin, edhe unë e lexova ligjin, e nuk je ti më e mirë se shumë juristë që e kanë interpretuar e nuk është hera e parë që ndodh në Kosovë", tha ai.
"Por unë e kam një lutje tjetër për ty zonja Haxhiu mos e blloko komisionin që me pamundësuar aprovimin e buxhetit në Kuvendin e Republikës së Kosovës, mos i dëmto qindra mijëra pensionistë që me i marrë pensionet me rritje, mos u bë destruktive dhe mos shkakto pengesa sepse ke obligim me kry punën tënde si deputete, kryeje punën".
"Ti je aq juriste e dobët sa të gjitha rastet që ti i ke paraqit dhe prezantuar gjykata t’i ka hedh poshtë dhe ka me t’i hedh poshtë sepse nuk ke lidhje me profesionin që ti konsideron që je një juriste”.