Lajmet e fundit

Hamasi liroi të enjten trupat e katër pengjeve izraelite, që thuhet se përfshinin një nënë dhe dy fëmijët e saj, të cilët prej kohësh dyshohej se kishin vdekur pas sulmit të 7 tetorit 2023.
Militantët shfaqën katër arkivole të zeza në një skenë të rrethuar me pankarta ndërsa automjetet e Kryqit të Kuq mbërritën në vendin e ngjarjes në Rripin e Gazës. Luftëtarët më pas i bartën arkivolet tek automjetet e Kryqit të Kuq, ku punonjësit me jelek të kuq i mbuluan me çarçafë të bardhë përpara se t'i vendosnin brenda. Karvani u kthye në Izrael, ku autoritetet do të identifikojnë eshtrat.
Thuhet se eshtrat ishin të Shiri Bibas dhe dy fëmijëve të saj, Ariel dhe Kfir, si dhe Oded Lifshitz, i cili ishte 83 vjeç kur u rrëmbye. Kfir ishte rob më i ri i marrë atë ditë. Hamasi ka thënë se të katër u vranë së bashku me rojet e tyre në sulmet ajrore izraelite, raporton Associated Press, transmeton Klankosova.tv.
Mijëra njerëz, duke përfshirë një numër të madh luftëtarësh të maskuar dhe të armatosur nga Hamasi dhe fraksione të tjera, u mblodhën në vendin e dorëzimit në periferi të qytetit jugor të Gazës, Khan Younis.
Kanalet izraelite nuk e transmetuan dorëzimin dhe nuk kishte plane për ta shfaqur atë drejtpërdrejt në sheshin e pengjeve në Tel Aviv, ku izraelitët janë mbledhur për të parë lirimin e pengjeve të gjallë. Sheshi ishte bosh pasi binte shi pa pushim në të dy vendet, të cilat janë rreth 100 kilometra larg njëra-tjetrës.