Lajmet e fundit

Seanca e jashtëzakonshme për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, nuk është një çështje me shumë urgjencë, prandaj nuk është e nevojshme të ngutemi me të ka thënë nënkryetari i Kuvendit të Kosovës dhe anëtari i kryesisë së PDK-së, Xhavit Haliti në një intervistë për Zërin.
Madje, Haliti tha se mbajtja e seancës së jashtëzakonshme mund të mbahet këtyre ditëve, nëse një kërkesë të tillë e bëjnë deputetët e Kuvendit.
Megjithatë, Haliti në këtë intervistë për Zërin ka thënë se nuk është e domosdoshme që kjo seancë të mbahet të dielën apo të hënën.
“Në qoftë se është një kërkesë nga 40 deputetë të nënshkruar atëherë mund të mbahet mbledhja, por unë nuk e besoj se është e domosdoshme që të dielën të mbahet seancë sepse nuk është ndonjë çështje e ngutshme dhe e jashtëzakonshme të cilën Kosova e ka që ta kryej me urgjencë”, ka thënë ai.
Anëtari i kryesisë së PDK-së ka folur edhe për koalicionin mes Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Haliti tha se gjërat me partnerin në Qeveri janë në rregull dhe po funksionojnë.