Lajmet e fundit
Riza Halimi - deputeti shqiptar nga Lugina e Preshevës në Kuvendin e Serbisë dhe Ivica Daçiq – Ministri i Jashtëm i Serbisë, kanë zhvilluar një debat në Parlamentin e Serbisë, mbi të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në jug të shtetit serb. Përplasja kryesore e tyre ka qenë për tekstet shkollore nga Kosova dhe Shqipëria, në të cilat thuhet se Kosova është shtet i pavarur, gjë Ministri Daçiq e kundërshton tërësisht.

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, në komentin e tij të dhënë gjatë seancës plenare të Mërkurën, i është përgjigjur deputetit shqiptar nga Presheva – regjioni ku jeton komuniteti më i madh i shqiptarëve jashtë Kosovës.
"Kosova është provinca jugore e Serbisë, vend ky ku shqiptarët në mënyrë të njëanshme e shpallën pavarësinë në vitin 2008 – akt ky që Serbia e cilëson si cenim ndaj kushtetutës së saj dhe territorit", ka thënë Daçiq.
“Ju dëshironi që tekstet e librave nga Kosova ose nga Shqipëria të përdoren në Serbi. Aty thuhet se Kosova është e pavarur dhe se Manastiri Ortodoks në Deçan është pjesë e së kaluarës tuaj. Kjo s’do të ndodhë. Drejtojuni kujt të doni”, ka thënë Daçiq.
Ky shkëmbim fjalësh në mes Riza Halimit dhe Ivica Daçiqit ka ndodhur gjatë një seance në parlamentin serb e dedikuar për të diskutuar për buxhetin e shtetit për vitin 2016, ku deputeti foli për te drejtat e shqiptarëve në Serbinë jugore për të cilat tha se s’po respektohen.
Ministri Daçiq i tha Halimit se shqiptarët e Serbisë jugore, s’duhet të kërkojnë ndihmë nga të huajt dhe se duhet t’i zgjidhin punët brenda shtetit të tyre.
“Serbët në Shqipëri do të ishin mëse të lumtur nëse do t’i kishin të drejtat që ju jeni këtu, mbiemrat e tyre janë ndërruar dhe ata s’mund t’i kthejnë sërish e po ashtu kanë shumë probleme në organizim”, i ka thënë Daçiq Halimit, shkruan B92, transmeton Klan Kosova.
Asnjë minoritet nuk diskriminohet në Serbi, ka vazhduar ministri, dhe asnjë serb s’duhet diskriminuar.
Halimi i cili është deputet nga Partia për Veprim Demokratik, ka thënë se të drejtat e shqiptarëve në Serbi nuk po respektohen dhe u ankua se Radiotelevizioni Publik i Serbisë, nuk transmeton asnjë minutë program në shqip.
“A është etike që qytetarët shqiptarë të Serbisë të paguajnë taksa për televizionin publik e të mos kenë asnjë minutë në gjuhën shqipe”?, ka pyetuar Halimi.
Halimi po ashtu i ka thënë Daçiqit që të drejtat e serbëve në Shqipëri duhet t’i diskutojë me Ministrin e Jashtëm të atij shteti e jo t’i lidhë shqiptarët e Serbisë me atë problem.
“Ne po kërkojmë që të drejtat e shqiptarëve të realizohen në bazë të Kushtetutës së Serbisë”, ka thënë Halimi.