Lajmet e fundit

Njohësi i çështjeve politike në Kosovë, Halil Matoshi ka vlerësuar se deklaratat rreth bashkimit Kosovë-Shqipëri bëhen vetëm për interesa politike dhe si të tilla janë tërësisht boshe.
Matoshi ka konsideruar se nuk duhet humbur kohë duke u marrë me të tilla deklarata ndërkaq ka thënë se kombi kosovar, sikurse ai shqiptar, është krijuar me intervenimin e Perëndimit.
Pavarësisht kësaj, sipas Matoshit, Serbia i njeh si komb vetëm shqiptarët që jetojnë në Shqipëri, por jo edhe ata të Kosovës.
“Politika serbe i njeh si komb vetëm shqiptarët që jetojnë në Shqipëri, ndërkaq, shqiptarët e Kosovës i sheh si pakicë etnike”, ka deklaruar ai në një intervistë për gazetën "Zëri".
Tutje, Matoshi ka thënë se kombi kosovar e ka në pronësi të vet shtetin kosovar ndërkohë, ai ka theksuar se tani Kosova përbën një komb të ri.
"Identitetet janë të shumëfishta dhe të shndërrueshme. Amin Malouf, identitetin etnik e quan të ngurtë, vrastar. Mirëpo identiteti supraetnik kosovar mund të zbërthehet në një shumësi identitetesh, jo vetëm atë gjuhësor dhe historik. Ndër tjera kombi kosovar është krijuar me intervenimin e Perëndimit. Njëjtë sikur edhe kombi shqiptar".
"Shumë faktorë autokton e kanë ndihmuar kombkrijimin në Kosovë - të tilla si përvoja paraprake demokratike, niveli i zhvillimit ekonomik, dhe homogjeniteti social - mund të ndikojnë në lehtësinë apo vështirësinë e ndërtimit të kombit, por përcaktuesi më i rëndësishëm i kontrollueshëm duket të jetë niveli i përpjekjeve ndërkombëtare, matur në trupat, të hollat dhe kohën. Nocioni “kosovar” si identitet subetnik është shumë më i pranueshëm edhe për pakicat etnike që t’i bashkohen kombit të vullnetit".