Lajmet e fundit

Ardit Ferizi është arrestuar në Malajzi nën dyshimin për vjedhje të informatave nga Ushtria Amerikane dhe dhënien e tyre pastaj Shtetit Islamik.
Policia në Malajzi ka thënë se i riu me preardhje nga Gjakova është arrestuar më 15 shtator, por janë duke e mbajtur derisa të përfundojnë procedurat e ekstradimit për në SHBA.
Kosovari 20 vjeçar po akuzohet se ka hyrë në sistemin kompjuterik të një kompanie amerikane dhe ka vjedhur informacione personale të mbi një mijë ushtarakëve dhe punonjësve federal amerikan.
Sipas prokurorit amerikan, këto të dhëna ai i ka dhënë shtetasit britanik Junaid Hussein, kreut të të ashtuquaturit Kalifati Kibernetik.
Ferizi kishte pasur telashe me ligjin për krime kibernetike edhe sa ishte në Kosovë, para se të shkonte për të studiur shkencat kompjuterike në këtë shtet aziatik.
Këtë ia ka konfirmuar Klan Kosovës edhe prokurorja në Gjakovë, Shpresa Bakija.
Ai kishte ndërhyrë edhe në sistemet bankare.
Telashe me Ferizin kanë pasur edhe disa portale kosovare të cilat janë ankuar se po sulmohen web faqet e tyre sa herë që po publikojnë tekste për ISIS-in dhe për njerëzit që po i bashkoheshin luftës së tyre.
Ekipi i Klanit ishte edhe tek prindërit e Ferizit, mirëpo ata nuk deshën të flasin para kamerës.
Nëna e tij i mohoi akuzat që po i bëhen birit të tij nga autoritetet amerikane dhe ato kosovare.
Kronikë e Flutra Nushit.