Lajmet e fundit

Ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, gjatë konferencës sw sotme pwr media ka thënë se shkarkimi i menaxhmentit të Postës së Kosovës ishte në përputhje me ligjin për ndërmarrjet publike.
“Sot bordi i përkohshëm ka bërë shkarkimin e kryeshefit ekzekutiv dhe ky shkarkim është bërë në përputhje me ligjin për ndërmarrje publike. Aty kishte degradim në tri vitet e fundit”, tha ajo.
“Posta e Kosovës ka planifikuar për marrjen e shërbimeve konsulente dhe konkretisht kjo që është marr nga Posta është pikërisht për shërbimet e rregullta dhe nuk ka qenë diçka specifike dhe ne si qeveri jemi të obliguar që ndërmarrja publike të veprojë sipas ligjeve dhe detyrat që kemi për keqmenaxhimin e parasë publike”.
“Gjithçka është ndërmarrë nga bordi i përkohshëm”, tha Hajdari.
Ndërkaq, kryesues i bordit të Postës së Kosovës, Mentor Reka, tha se kontrollet financiare nuk kanë qenë në nivelin e duhur.
“Disa nga gjetjet janë se kontrollet financiare të postës nuk kanë qenë në nivelin e duhur. Kompania është në humbje për 19 milionë euro në vazhdimësi prej vitit 2012 deri në fund të vitit 2018”, tha ai.
Ndryshe, kryeshefi Ekzekutiv i Postës, Shefqet Avdija, ka thënë se bordi i përkohshëm i drejtorëve të Postës së Kosovës ka bërë ndërhyrje politike dhe ka marr vendim të paligjshëm për shkarkimin e tij nga pozita e kryeshefit ekzekutiv dhe shkarkimin e zyrtarit kryesor financiar të Postës, Behgjet Maliqi, shkruan ekonomiaonline.