Lajmet e fundit
Komisionari i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn ka kërkuar nga palët dhe aktorët e involvuar në ngjarjet e fundit në Maqedoni të bashkëpunojnë në qartësimin e asaj se çka ka ndodhur si dhe kush ka përgjegjësi për këtë çështje.

Komisionari i Bashkimit Evropian për politikën e fqinjësisë dhe negociatat për zgjerim, Johannes Hahn, gjatë një konference të mbajtur në Bruksel, ka shprehur shqetësimin për zhvillimet e fundit në Maqedoni.
Me këtë rast ai ka kërkuar nga të gjitha palët dhe aktorët e involvuar të bashkëpunojnë në qartësimin se çka ka ndodhur, kush ka përgjegjësi për këtë në mënyrë që siç tha ai "të veprohet vërtetë në mënyrë unike për këtë çështje”.
“Ky sulm, kjo ngjarje, nuk duhet ta shmang vëmendjen nga situata e brendshme politike shumë serioze, dhe ne patëm kërkuar nga qeveria, por edhe nga partia opozitare, që ta fillojnë zgjidhjen, ta fillojnë bashkëpunimin. Pra, kjo nuk duhet të shihet si mundësi për ta lënë anash zgjidhjen e problemit fundamental me të cilin ballafaqohet vendi”, tha Hahn.
Më tej, zyrtari i lartë i BE-së ka theksuar se “ky sulm dhe kjo ngjarje nuk duhet të përdoret për krijimin e mëtejshëm të situatës së komplikuar duke paraqitur tension etnik”.