Lajmet e fundit

Komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerim, Johannes Hahn, ka komentuar rezultatin e referendumit në Maqedoni.
Ai ka vlerësuar se votat “për” në referendum janë të rëndësishme dhe më këtë jepet përkrahje e marrëveshjes së Prespës për emrin e ri të shtetit.
"Ju uroj atyre që votuan sot në referendumin konsultativ dhe shfrytëzuan liritë e tyre demokratike. Me votën e rëndësishme 'për', ka përkrahje të gjerë për marrëveshjen e Prespës dhe të ardhmen euroatlantike të vendit", shkroi Hahn në rrjetin social Twitter.
Tutje ai shtoi se pret nga të gjithë liderët partiak që të respektojnë këtë vendim e të veprojnë me përgjegjësi në interes të vendit.
Sipas të dhënave të para të publikuara nga KSHZ-ja, në referendumin e sotëm 91% të qytetarëve janë deklaruar "për", ndërsa “kundër” ishin 6%.
Qytetarët e Maqedonisë u deklaruan për pyetjen “Nëse jeni për anëtarësimin në BE dhe NATO me pranimin e Marrëveshjes midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë”.
Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga KSHZ-ja, pjesëmarrja në referendum deri në orën 18:30 ishte 34%.