Lajmet e fundit

Edi Rama dhe Komisioneri për zgjerimin, Johannes Hahn, ishin në një mendje kur i vlerësuan zgjedhjet e 25 qershorit si më të mirat e realizuara ndonjëherë në Shqipëri, shkruan Top Channel.
Prioritetet e Shqipërisë përpara një tjetër vlerësimi nga shtetet anëtare të BE, për të cilat vetë komisioneri tha se ende nuk e ka një datë, Edi Rama dhe Johannes Hahn i ndanë përpara takimit informal të kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, në një mëngjes pune, që sipas kryeministrit u fokusua në statusin aktual të marrëdhënieve të vendit tonë me BE. Por mungesa e një date shoqërohet me disa kërkesa, duke nisur nga reformat kyçe.
“Zgjedhjet e drejta dhe transparente kanë qenë një kusht për të ecur përpara në rrugën drejt BE. Besoj se ka një rezultat që jo shumëkush e prisnin që të ishte kaq i qartë. Tani nuk ka më asnjë justifikim që mund të përdoret. Vendimet politike janë të qarta. Tani mund të shkojmë drejt zbatimit”, u shpreh Hahn.
“Folëm për zgjedhjet si një moment i rëndësishëm i kapërcyer me sukses, folëm për vullnetin dhe domosdoshmërinë që të vazhdojë ajo që u nis si një qasje e re dhe vullnet bashkëpunimi mes qeverisë dhe opozitës, nga ana tjetër e njoha Hahn me planin e këtij mandati në funksion të reformave, të një transformimi rrënjësor të shërbimeve për publikun si një aspekt i luftës kundër kurrupsionit dhe ryshfetit”, tha Rama.
Dhe reforma në drejtësi, si një nga prioritetet kyçe për Shqipërinë, mbetet ende një kërkesë e qartë, këtë herë për zbatimin sa më parë të saj.
“Jam i sigurt që shumë shpejt do të shohim rezultatet e para konkrete lidhur me të famshmin proces të Vettingut”, u shpreh komisioneri.
“Nënvijëzuam domosdoshmërinë e vazhdimit të procesit të vettuingut si një proces kyç për Shqipërinë, por edhe përshpejtimin e procesit të integrimit”, tha Kryeministri.
Si kryeministri Rama, ashtu edhe zyrtari i lartë i BE-së ndanë të njëjtin vlerësim për luftën kundër kultivimit të kanabisit.
“Dua të përmend progresin e jashtëzakonshëm në luftën kundër kultivimit të kanabisit, kjo është dëshmi për vendet e BE”, tha komisioneri.
“Ndamë idenë se në luftën ndaj kanabisit po bëhet një punë fantastike. Sot jemi me rezultate të monitorimit ndërkombëtar që tregojnë se zotimi është duke u përmbushur dhe në fund të këtij sezoni mbjelljesh, korrjesh dhe goditjesh, Shqipëria do të dalë përfundimisht nga harta e vendeve problematike të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike”, tha Rama.