Lajmet e fundit

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të mblidhet ditën e sotme përpara seancës së parë plenarë të sesionit të V-të të legjislaturës së VIII-të, por jo për të diskutuar mbi rendin e ditës ashtu si kurdo herë, por për të marrë një vendim në lidhje me përjashtimi nga ky grup i deputetit të Lezhës, Armando Prenga. Përjashtimi i Prëngës do të vijë si pasojë e përfshirjes së tij, në ngjarjen e ndodhur në Lagunën e Patokut në Laç, ku si pasojë e një përleshjeje mbetën të plagosur 7 persona, ndërsa deputeti socialist ra në prangat e policisë, si një ndër personat e përfshirë në ngjarje.
Burimet u shprehën se ndonëse zyrtarisht përjashtimi i Armando Prëngës do të ndodhë mëngjesin e ditës së sotme,“de juro” përjashtimi i tij është kryer, pasi sipas tyre asnjë person që shkel ligjin nuk mund të mbetet pjesë e Partisë Socialiste, aq më tepër një deputet që akuzohet nga policia për plagosje me armë dhe që prokuroria dorëzoi shkresë pranë Kuvendit për dhënien e lejes për arrestimin e tij. Më herët edhe kreu i Partisë Socialiste Edi Rama u shpreh pro heqjes së imunitetit të deputetit Armando Prenga, çka konfirmon edhe qëndrimin e tij, që ditën e sotme nën cilësinë e kreut të partisë tu kërkojë deputetëve dakordësinë për përjashtimin e tij nga grupi parlamentar.
“T’i heqim urgjent imunitetin e deputetit!”, shkroi Rama. Kreu i qeverisë flet për tolerancë zero ndaj kujtdo që shkel ligjin. “Përshëndes prokurorinë, tani të heqim urgjent imunitetin e deputetit që ka punë me drejtësinë! Tolerancë zero për këdoqoftë që shkel ligjin”, shkruan shefi i mazhorancës në rrjetet sociale. Përjashtimi i Prengës nga grupi parlamentar, u “lexua” mes rreshtash edhe nga deklarata e dy ditëve më parë e bërë nga deputetja socialiste Olta Xhaçka, nga ambientet e selisë rozë, e cila u shpreh se Prenga nuk ka më moralin të jetë pjesë e PS-së.