Fondacioni Humanitar për Gazën (GHF), i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, nuk do të shpërndajë ndihma të mërkurën, duke i bërë thirrje Izraelit të përmirësojë sigurinë për civilët përtej perimetrit të pikave të shpërndarjes së ndihmave, një ditë pasi dhjetëra palestinezë që po kërkonin ndihmë mbetën të vrarë.
GHF njoftoi se i ka kërkuar ushtrisë izraelite të “drejtojë lëvizjen e civilëve në një mënyrë që minimizon konfuzionin dhe rrezikun e përshkallëzimit”, të ofrojë udhëzime më të qarta për civilët dhe të përmirësojë trajnimin për të garantuar sigurinë e tyre.
“Prioriteti ynë kryesor mbetet siguria dhe dinjiteti i civilëve që marrin ndihma”, tha një zëdhënës i GHF. Ndërkohë, një zëdhënës i ushtrisë izraelite paralajmëroi civilët që të mos afrohen në zonat që çojnë në pikat e GHF, duke i quajtur ato “zona lufte”, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.
Ushtria izraelite tha të martën se kishte hapur zjarr ndaj një grupi njerëzish pranë një pike shpërndarjeje ushqimore të GHF, të cilët i kishte konsideruar si kërcënim. Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq njoftoi se të paktën 27 persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën. GHF tha se incidenti ndodhi “shumë përtej” perimetrit të pikës së tyre.
Palestinezët që morën ndihma nga GHF të martën përshkruan skena kaotike, pa ndonjë mbikëqyrje apo kontroll të identitetit, ndërsa turma të tëra shtyheshin për të marrë ushqim.
Ndërkohë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së pritet të votojë të mërkurën për një kërkesë për armëpushim mes Izraelit dhe militantëve të Hamasit, si dhe për lejimin e qasjes humanitare në gjithë Gazën, ku ndihmat po shpërndahen në mënyrë të kufizuar mes kaosit dhe gjakderdhjes, pasi Izraeli hoqi një bllokadë 11-javore mbi territorin ku kërcënon uria masive.
“Është e papranueshme. Civilët po rrezikojnë – dhe në shumë raste po humbin jetën – thjesht duke u përpjekur të marrin ushqim,” tha zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, duke shtuar se modeli i shpërndarjes së ndihmave i mbështetur nga SHBA dhe Izraeli është “një recetë për katastrofë, që tashmë është duke ndodhur.”
Ky model menaxhohet nga GHF, i krijuar vetëm një javë më parë, i cili tha se deri tani ka shpërndarë më shumë se shtatë milionë vakte nga tri pika të ashtuquajtura të sigurta. Drejtori i përkohshëm i GHF, John Acree, u bëri thirrje organizatave humanitare në Gaza: “Bashkëpunoni me ne dhe ne do të dërgojmë ndihmat tuaja te ata që varen prej tyre.”
●●●
LESHKRIMI NGA
Lendita Elshani
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.