Lajmet e fundit

Greqia mund të bëhet si Kosova, nëse del nga Eurozona.
Shteti helen do të vazhdonte ta përdorte euron si valutë, sikur e bën Kosova, që gati 14 vjet, por edhe Mali i Zi, pa qenë pjesë e sistemin të eurozonës të Bankës Qendrore Evropiane (BQE), shkruan gazeta vjeneze Standard, përcjellë Klan Kosova.
Të dyja vendet e rajonit tonë, refuzuan të punojnë me dinarë, shumë vjet më parë, pasi kishin humbur besimin në këtë para, me të cilën identifikohej Serbia, një shtet jo miqësor, të paktën me Kosovën.
Në fakt, kjo valutë shfrytëzohej në Kosovë deri në përfundim të luftës, duke qenë se vendi ndodhej nën një administrim të ashpër dhe të dhunshëm të Serbisë. Marka gjermane ishte monedhë e fshehur që preferohej nga shqiptarët, në atë kohë, ndërsa në të përfunduar të luftës, kjo valutë e mposhti krejtësisht dinarin serb. Por, kur Euro hyri në fuqi, i bë e qartë se ajo do të shfrytëzohet edhe në Kosovë, sikur ndodhi në Monaco, Andorë, San Marino, Vatikan dhe territoret tejoqeanike franceze.
Dobruna ka thënë se Kosova, për dallim nga Mali i Zi, pati një marrëveshje me BQE për evroizim të monedhës.
Dhe kjo nuk i doli keq.
"Evroizimi solli stabilitet te lartë të cmimeve dhe minimizoi rrezikun e ndryshimeve të kursit", ka thënë Dobruna për Standard, transmeton Klan Kosova.
Rolin kryesor në futjen e euros në Kosovë e kishte Austria, e jo Gjermania, shkruan gazeta.
Megjithatë, ka shtete evropiane, disa nga të cilat janë pjesë e BE-së e disa tjera në proces të integrimit, që vazhdojnë me valutat e tyre, si Britania e Madhe, Danimarka, Bullgaria, Kroacia, por edhe Shqipëria, Maqedonia, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Norvegjia dhe Zvicra po ashtu kanë valutat e tyre nacionale në shfrytëzim.