Lajmet e fundit

Prokuroria e Athinës ka urdhëruar fillimin e hetimeve pas publikimit se fonde sekrete të ministrisë së Jashtme janë përdorur për të financuar media në Shqipëri dhe Maqedoni.
Në pozicionin e të dyshuarit është portali Iefimerida.gr. sipas portalit, hetimet do të bazohen në nenin 146 të Kodit penal, ''mbi shkeljen e sekreteve të shtetit të Shqipërisë'', transmeton Klan Kosova.
Në një editorial portali mbron vetëveten, duke shënuar se çështja e fondeve sekrete u hap fillimisht nga ministri i Jashtëm dhe ai i Mbrojtjes, gjatë debatit që zhvilluan në mbledhjen e qeverisë, ditën e martë.
Pas këtij debati, Iefimerida publikoi një shkrim bazuar mbi dëshmi deputetësh.
Sipas shkrimit, më 10 tetor, në kryesinë e parlamentit ishte shqyrtuar fatura e fundit e ministrisë së jashtme, me vlerë 1 milionë euro. Arsyetimi që shoqëronte alokimin e këtij fondi, ishte se qe përdorur për të financuar media në Shqipëri e Maqedoni, si dhe për të mbështetur kisha ortodokse jashtë Greqisë.
Zërat për shpërdorime të fondeve sekrete në Greqi, datojnë që në fillim të viteve 1990.
Sipas ligjit, janë disa ministritë që kanë fonde sekrete; “pjesa e luanit” i përket ministrisë së jashtme.
Siç raporton portali i.gr, është mjaft e vështirë për të mos thënë e pamundur, të mësohet adresimi i saktë i parave që jepen nga fondet e fshehta. Madje këtë nuk e di as komisioni prej pak anëtarësh i parlamentit. Raporti përmban vetëm shumën dhe qëllimin se përse u paguan ato para.
Kjo, shton portali, do të thotë se vetëm ministri (dhe me gjasë dy tre bashkëpunëtorë të ngushtë të tij), e dinë se ku saktësisht shkojnë paratë. Askush tjetër.
Në 2012, kur kryeministri Tsipras ishte lider i opozitës, paditi ministrinë e jashtme greke për keqpërdorim të fondeve sekrete. Sipas akuzës, paratë nuk ishin përdorur për promovimin e interesave kombëtare, po për qëllime të tjera. Mirëpo hetimet nuk dhanë ndonjë rezultat, shkruan ora, transmeton Klan Kosova.
Ndërsa pas publikimit të lajmit se Athina zyrtare ka dhënë para për disa portale shqiptare, ka reaguar PDIU.
Kryetari i saj Shpëtim Idrizi përmes një deklarate i kërkon presidentit Ilir Meta të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Idrizi thotë se diçka të tillë ai e pati paralajmëruar muaj më parë.
“1 milion euro fonde të zeza vetëm për muajin e fundit, me të cilat shteti fqinj ka blerë media e portale shqiptare duke i paraqitur tezat progreke si mendime të paanshme. Qëllimi i këtyre fondeve ishte të vazhdojë të dëmtojë moralisht çështjet tona kombëtare, të manipulojë marrveshjen e detit, të varrosë çështjen Çame e të vazhdojë diskriminimin ndaj shqiptarëve të çamërisë. Tani besoj se është e qartë që kemi thënë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën kur ju paralajmëruam per aktet e dënueshme, për blerjen e një pjese tëe mediave shqiptare e ku disa individë gjoja të paanshem vazhdonin të mbillnin urrejtje e armiqësi për shqiptarët e Çamërisë. Ishim të qartë kur ju spjeguam se si në zgjedhjet e fundit egzekutoheshin mandatet e PDIU-sç, që në Parlamentin e Shqipërisë të mungonte faktori politik Çam, megjithatç u votuam nga 76 mije Shqiptarë, me një qëllim të vetëm: “Çameria mos të ekzistojë. Presidenti i republikës të vërë në lëvizje të gjitha agjensite ligj zbatuese për te hetuar e vene prapa dyerve të qelisë ata që kanë marë para ,shumat e qëllimet sepse vetëm në një muaj bëhet fjale per 1 milion”, tha Idrizi, transmeton Klan Kosova.