Lajmet e fundit

Shumica e pjesëmarrësve në Komisionin Parlamentar për Politikën e Jashtme dhe të Mbrojtjes kanë miratuar projektligjin e Ministrisë së Jashtme greke në lidhje me Memorandumin e Bashkëpunimit midis Greqisë dhe Shqipërisë për të përshpejtuar procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Në favor kanë votuar partitë e koalicionit qeveritar Syriza dhe Grekët e Pavarur, si dhe parti opozitare si Potami.
“Nënkuptohet që nuk e shohim situatën të lehtë dhe që të pranojmë statusin e fillimit të negociatave do të parashtrojmë edhe parakushtet të cilat ju thatë, përveç atyre që përmenda, si respekti i vlerave europiane, shteti i së drejtës, të drejtat njerëzore dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë”, ka thënë zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Georgios Katrougkalos.
Partitë e mëdha opozitare, Demokracia e Re, PASOK dhe Unioni i Qendrës kanë shprehur rezerva duke theksuar gjithsesi se janë pro perspektivës integruese të Shqipërisë.
“Projektligji për të cilin diskutojmë duhet të kishte dy korrigjime. Së pari, çfarë sjell në këtë bashkëpunim pala tjetër dhe së dyti një klauzolë dashamirëse kushtëzimi, e cila nuk do të hapet nëse pala tjetër kryen akte të cilat do të bënin Greqinë, Athinën dhe Ministrinë e Jashtme të rimendonin funksionimin e saj”, ka thënë Georgios Koumoutsakos i Demokracisë së Re.
Kundër kanë votuar për arsye të ndryshme Partia Komuniste dhe Agimi i Artë, deputetët e të cilit edhe një herë kanë shprehur, përveç argumentave të tyre politike, edhe retorikën e tyre të urretjes.
“Vetë ai shteti shqiptar të cilin Syriza kërkon të mbështesë sot nëpërmjet BE-së, është një shtet kriminel dhe trafikant droge. Vetë Edi Rama është ai i cili si një maestro drejton gjithë trafikimin e lëndëve narkotike nga Shqipëria në gjithë vendet e Europës”, ka thënë Ilias Kasidhiaris i Agimit të Artë.
Komisioni ka propozuar që projektligji të votohet nga Parlamenti pa asnjë ndryshim në ditët në vijim./ Top Channel