Lajmet e fundit

Kryetaret e degëve të Kryesisë së Forumit të Gruas të LDK-së janë takuar dhe kanë diskutuar për gjendjen aktuale politike në vend.
Forumi i Gruas ka bërë të ditur se mbështet qëndrimet e kryesisë së LDK-së dhe vlerëson se çdo negocim për territorin e Kosovës cenon kushtetutshmërinë e saj, përcjell Klan Kosova.
“Ky mekanizëm i LDK-së është i përkushtuar si çdo herë në mbrojtjen e sovranitetit të vendit dhe kërkon vëmendjen qytetare në këto procese”.
“Prandaj, FGLDK si tejkalim nga kjo situatë i sheh të nevojshme Zgjedhjet e Përgjithshme Parlamentare”, ka njoftuar zyra e informimit të LDK-së.
Gjatë këtij takimi është diskutuar edhe për planin e aktiviteteve të Forumit të Gruas dhe mobilizimit të grave në nivel të degëve.
Gjithashtu është diskutuar edhe për rastet e fundit të dhunës në familje, me ç’rast kryetarja e Forumit të Gruas, Lirije Kajtazi bashkë me të gjitha strukturat e degëve kërkuan mobilizim të gjerë për të luftuar çdo formë të dhunës.