Bordi i Drejtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës, ka njoftuar se ka përzgjedhur Gramos Hashanin për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të KEK-ut.
“Procesi i përzgjedhjes është zhvilluar në përputhje të plotë me Ligjin për Ndërmarrjet Publike dhe ka përfshirë vlerësimin dhe intervistimin e të gjithë kandidatëve që kanë përmbushur kriteret e përcaktuara në konkursin publik”, thuhet në postimin e tyre në Facebook.
Hashani, siç shkruhet, është i diplomuar në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ndërsa studimet master i ka përfunduar në Universitetin e Incarnate Word në San Antonio, Texas, ShBA.
Ai, ndër tjerash, thuhet se është Kontabilist i Çertifikuar dhe Auditor i Brendshëm i Çertifikuar nga Shoqata e Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (SCAAK), si dhe anëtar i Shoqatës së Kontabilistëve të Çertifikuar (ACCA), Londër, Mbretëria e Bashkuar.
“Z. Hashani posedon ekspertizë të theksuar në menaxhimin strategjik financiar, qeverisjen korporative, investimet në tranzicionin energjetik dhe zbatimin e standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit (IFRS dhe US GAAP). Përvoja e tij profesionale përfshin sektorin e energjisë dhe atë financiar, si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ashtu edhe në Kosovë, ku ka ushtruar pozita të larta në kompani ndërkombëtare dhe vendase".
"Bordi i Drejtorëve i KEK sh.a. i uron z. Gramos Hashani suksese në detyrën e re, duke shprehur besimin e plotë se, nën udhëheqjen e tij, Korporata do të vazhdojë të forcojë performancën dhe të avancojë zhvillimin e saj strategjik në interes të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, thuhet në postim./Klankosova.tv
●●●
LESHKRIMI NGA
Lendita Elshani
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.