Lajmet e fundit

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci, ka hedhur poshtë kërkesën e opozitës për të biseduar në një tavolinë të përbashkët për datën e zgjedhjeve të parakohshme.
Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Grabovci ka thënë se aktualisht është shumë herët për të biseduar për procesin zgjedhor. “Për Partinë Demokratike të Kosovës është shumë herët të bisedohet për zgjedhjet nacionale. Në verën e 2017-s mund të ulemi dhe të bisedojmë për përgatitjen e zgjedhjeve lokale, kurse në pranverën e vitit 2018 do të jemi të gatshëm të bisedojmë për zgjedhjet parlamentare. Mirëpo, opozita do ta vazhdojë kërkesën për zgjedhje të parakohshme deri në vitin 2022 nëse nuk ndalet t’i vlerësojë veprimet dhe angazhimet e veta si dhe ofertën që do ta prezantojë para qytetarëve”, ka deklaruar Grabovci.
Grabovci ka mohuar se dalja e liderit të PDK-së në takim me strukturat e partisë nënkupton parapërgatitje për zgjedhje të parakohshme. “Aktivitetin tonë, komunikimin e rregullt me strukturat e partisë dhe elektoratin, e kemi të pandërprerë. Tani ky komunikim do të rritet dhe në asnjë mënyrë nuk do të zbehet, sepse në vitin 2017 na presin zgjedhjet lokale, ku duhet t’i prezantojmë sukseset tona para qytetarëve. Pastaj duhet të përgatitemi edhe për zgjedhjet parlamentare të vitit 2018”, ka theksuar Grabovci. Sipas tij, koalicioni PDK - LDK është funksional dhe do ta çojë deri në fund mandatin qeverisës. Grabovci ka thënë se edhe Hashim Thaçi së shpejti do të bëhet president i vendit. “Koalicioni aktual është funksional, stabil dhe shumë i fuqishëm. Marrëveshjet që i kemi nënshkruar do t’u përmbahemi në mënyrë reciproke dhe do të vazhdojmë deri në fund me këtë koalicion. Jam shumë i sigurt se qytetarët e Kosovës e presin me padurim zgjedhjen e Hashim Thaçit president të vendit”, ka deklaruar Grabovci.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni KËTU.