Lajmet e fundit

Tjetër grabitje në Tiranë dhe sërish objektiv ka qenë një pikë karburanti. Policia e Tiranës thotë se grabitja ka ndodhur rreth orës 03:12, në Qafë Kashar.
Dy persona me maskë kanë shkuar tek pika e karburantit. Nën kërcënimin e një pistolete ata kanë marrë kasafortën dhe janë larguar në drejtim të Durrësit.
Policia thotë se po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Në më pak se dy javë policia e Tiranës arrestoi një të ri, punonjës të Gardës, i cili ishte autor i të paktën tre grabitjeve me armë të pikave të karburanteve.
Nisur nga kjo situatë, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri iu ka bërë thirrje kompanive të karburanteve që të vendosin automate elektronikë për pagesën, kamera me rezolucion të lartë dhe infra të kuqe, si dhe të lidhin çdo pikë karburanti me sinjal alarmi me sallën e komandimit, raporton tvklan, përcjellë Klan Kosova.