Lajmet e fundit
Mbrëmë rreth orës 22:40, në rrugën “Vëllezërit Gërvalla”, në Ferizaj ka ndodhur një grabitje, ku viktimës A. M. (34 vjeç), i janë grabitur rreth 22 mijë euro para.

Sipas viktimës, ngjarja ka ndodhur në afërsi të kryqëzimit të rrugëve “Vëllezërit Gërvalla” dhe “Kadri Zeka”, njofton policia rajonale e Ferizajt.
Viktima u ka deklaruar hetuesve në Polici se derisa po ktheheshin me të vëllain nga qendra e qytetit me biçikleta drejt shtëpisë së tyre, me të arritur te vendi i lartpërmendur, janë sulmuar befasisht nga tre persona të dyshuar.
Sulmuesit, duke e goditur me grushte e shqelma, e kanë rrëzuar viktimën dhe ia kanë marrë çantën me para nga beli, në të cilën, sipas viktimës, ndodheshin: 17 mijë franga zvicerane, 8 mijë euro, 200 dollarë amerikanë, dy kartela bankare si dhe dokumente personale të viktimës dhe të vëllait të tij.
Pas kryerjes së veprës penale, të dyshuarit kanë ikur në drejtim të rrugës “Kadri Zeka”. Viktima dhe disa qytetarë të tjerë kanë provuar t’i ndiqnin të dyshuarit, mirëpo në ikje e sipër të dyshuarit kanë shtënë me revole dhe kanë ikur.
Njësitet përkatëse policore dhe Forenzika në vendin e ngjarjes kanë gjetur dy gëzhoja kalibrash të ndryshëm, ndërsa hetuesit rajonalë janë duke punuar në grumbullimin e provave dhe të dëshmive tjera nga vendi i ngjarjes.