Lajmet e fundit

Vazhdojnë incidentet për rektorin e Universitetit të Vlorës. Një person e ka goditur me grusht Albert Qarrin, në sallën e teatrit “Petro Marko”, do të organizohej një aktivitet ku i ftuar ishte edhe presidenti Bujar Nishani.
Efektivët e Gardës kanë neutralizuar agresorin Kujtim Cakrani, por e kanë lënë më pas të lirë. Cakrani e ka fyer dhe më pas e goditi rektorin.
Policia e ka shpallur në kërkim. Qarri është sulmuar edhe më parë.
Në një rast i kanë djegur dy makinat, ndërsa në një tjetër ngjarje u tentua t’i digjej shtëpia. Vetë rektori tha pas kësaj ngjarje se personi që e ka sulmuar është me precedentë penalë.
Mësohet se gruaja e Cakranit punon si pedagoge në Universitetin e Vlorës. "Cakrani më ofendoi, më goditi me grusht pas shpine dhe pastaj u largua. Konflikti vjen për shkak të detyrës, pasi gruaja e tij është pedagoge në Universitet dhe kam pasur mosmarrëveshje.
Më ka shantazhuar vazhdimisht prej tre vitesh edhe përmes telefonit. Cakranin e akuzoj edhe për djegien e dy makinave të mia. E kam denoncuar në polici, është nën hetim të Prokurorisë së Vlorës prej 3 vitesh"./Mapo.al