Premiera e shfaqjes ''God Bless America'', me autor dhe regjisor Fatos Berisha, jepet sonte nga ora 20:00, në Teatrin e Gjilanit.
''God Bless America'', paraqet historinë e katër shitësve të Biblës, transmeton klankosova.tv.
Katër shokë, pasi marrin një trajnim nga një specialist shitjeje dhe adresa e sugjerime nga kisha se ku mund të shesin Biblën dhe materiale të tjera religjioze, shëtisin në çdo shtet të Amerikës për të shitur librin dhe të sigurojnë mirëqenien familjare.
Ata futen në shtëpitë e njerëzve dhe përpiqen, me metoda të ndryshme, t’i bindin ata të blejnë Biblën. Në rrugëtimin e tyre takojnë njerëz nga shtresa të ndryshme të shoqërisë dhe nuk kursejnë metoda për të shitur atë.
Në një mini-univers të xhunglës bashkëkohore të mbijetesës, ata udhëtojnë nëpër “vendin e mundësive-Amerikën”, duke u shtirur si “engjëj” në punë dhe duke u shfrenuar në privatësinë e hoteleve dhe dhomave të tyre.
Kjo shfaqje jepet edhe të enjten me 10 prill 2025, nga ora 20:00, në teatrin e qytetit të Gjilanit.

●●●
KKSHKRIMI NGA
Klan Kosova
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kulturë dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.