Lajmet e fundit

Grupi për Studime Juridike dhe Politike, në Tryezën e Diskutimit me temë, “Sa po implementohen objektivat e MSA-së në Fushën e Konkurrenës?” prezantoi dy rapote në kuadër të projektit “Monitorimi i vazhdueshëm i arritjeve në përmbushjën e objektivave që dalin nga MSA-ja, në fushën e konkurencës”, financuar nga Agjensioni Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida), menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile.
Raporti “Të (pa) barabartë: Nje tregim mbi konkurrencën në Kosovë” vë në pah shkallën e përmbushjes së veprimeve dhe masave në fushën e konkurrencës, që rrjedhin nga PKZMSA dhe ERA. GLPS theksoi se rezultatet e monitorimit të shtyllës së dytë të ERA-së - Konkurrueshmëria dhe Klima e Investimeve – gjatë vitit 2018 tregojnë se vetëm 56.8% e veprimeve të parashikuara janë arritur, që do të thotë 25 prej 44 veprimeve janë përmbushur nga institucionet përkatëse, 22.7% e veprimeve janë plotësuar pjesërisht, ndërsa pjesa tjetër – 20.5% - janë ende te paplotësuara.
Grupi për Studime Juridike dhe Politike, gjithashtu theksoi që institucionet kyçe duhet të tregojnë një përkushtim më të lartë drejt përmbushjes së të gjitha objektivave të MSA-së, duke përfshirë veprimet e parapara në ERA dhe PKZMSA, në mënyrë që të përshpejtohet implementimi dhe zbatimi i politikave dhe reformave të konkurrencës në Kosovë.
Gjatë kësaj tryeze u prezantua edhe raporti “Prezantimi i Konceptit të Përmbarimit Privat në Mbrojtjen e Konkurrencës”, i cili trajtoi temën e luftimit privat të marrëveshjeve të ndaluara në bashkimin Evropian, si dhe sa do të ishte përmbarimi privat i leverdisshëm për fushën e konkurrencës në Kosovë.
Ky event u organizua në kuadër të projektit “Monitorimi i vazhdueshëm i arritjeve në përmbushjën e objektivave që dalin nga MSA-ja, në fushën e konkurencës”, i cili financohet nga Agjensioni Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida) dhe menaxhohet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile.