Lajmet e fundit

Pandemia Covid-19 përveç ndikimit në shëndetin publik ka shkaktuar edhe krizë serioze ekonomike tek ndërmarrjet e të gjithë sektorëve si rrjedhojë e çrregullimeve në kërkesë dhe furnizim. Gjatë kësaj kohe një numër i madh i kompanive kanë shprehur pasiguri në mbijetesën e tyre pas pandemisë, ndërsa duke konsideruar ndikimin e masave kufizuese, përdorimi i procedurës së insolvencës mund të jetë shumë i dobishëm për bizneset kosovare të cilat përballen me vështirësi të kësaj natyre.
Ndikimi i pandemisë së koronavirusit në biznese dhe legjislacioni kosovar për ristrukturim dhe falimentim të kompanive ishte tema e një punëtorie virtuale të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në bashkëpunim me programin e Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC) për Zgjidhje të Borxhit në Ballkan Perëndimor.
Syzana Dautaj, Koordinatore e Projektit të IFC për Zgjidhje të Borxhit në Kosovë, duke iu referuar një ankete nga pesë organizata të biznesit në mesin e të cilave edhe Oda Amerikane mbi ndikimin e pandemisë në ndërmarrjet kosovare, tha se 64% të bizneseve në vend shprehin pasiguri për të ardhmen e tyre.
Ndërsa, drejtori i Odës Ekonomike Amerikane Arian Zeka, theksoi se Ligji i Falimentimit i qershorit të vitit 2016 përfshin standardet më të mira evropiane dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke zëvendësuar edhe një kornizë paraprake ligjore e cila ishte gati e pazbatueshme.
Zeka tha se si pasojë e situatës së krijuar pas shpërthimit të pandemisë, mund të ballafaqohemi me numër më të madh të ndërmarrjeve insolvente që rrezikojnë falimentimin, dhe rrjedhimisht më numër më të madh të debitorëve që mund t’u nënshtrohen procedurave të riorganizimit ose ristrukturimit të borxheve, prandaj në rrethana të tilla jemi me fat që kemi një ligj i cili rregullon këto çështje.
Mahir Tutuli, gjyqtar në Departamentin për Çështje Ekonomike në Gjykatën e Apelit tha se ligji i falimentimit që ka hyrë në fuqi në vitin 2016 është ligj gjithëpërfshirës i cili u mundëson bizneseve riorganizim të veprimtarive të tyre përmes gjykatave, e megjithatë deri më tani në Kosovë ka pak raste të tilla.
Ardi Shita, Ekspert Ligjor në Programin e IFC për Zgjidhje të Borxhit tha se pandemia COVID-19 mund të sjellë rritje të rasteve të falimentimit të ndërmarrjeve, por ligji i ri ka qëllim primar ruajtjen e vendeve të punës dhe riorganizimin e bizneseve për të evituar likuidimin e plotë të tyre.
Ai theksoi se ky ligj gjithashtu ofron ruajtjen e vlerës së aseteve, ku palët mund të kërkojnë që pronat jo-esenciale të biznesit të largohen nga lista e pasurive falimentuese gjatë procesit të falimentimit, në mënyrë që të ruhet vlera e tyre.