Lajmet e fundit

Trupi Gjykues i Gjykatës Themelore të Prishtinës ka marrë vendim që të ulë dënimet për të akuzuarit në rastin “Badovci”, njofton Klan Kosova.
Dënimi më i lartë pas këtij vendimi të Gjykatës mbetet 4 vjet e gjysmë burgim për Besnik Latifin, tre të akuzuarit e tjerë, Enis Latifi, Gazmend Haliti dhe Milazim Haxhija janë dënuar me nga 3 vjet e gjysmë burgim dhe Fehmi Musa me 3 vjet.
Të akuzuarve u është rikualifikuar vepra penale nga “përgatitja e sulmeve terroriste” në “shtytje për kryerje të veprës penale terroriste”.
Avokatët mbrojtës kanë paralajmëruar ankesë ndaj këtij aktgjykimi derisa avokati i Milazim Haxhisë, Bajram Tmava ka thënë se të gjithë të dënuarve është dashur tu ndërprehet masa e paraburgimit pasi që asnjë nga ta nuk është dënuar me mbi 5 vjet burgim.
Tmava ka paralajmëruar ankesë për këtë pikë ndërkohë që Trupi Gjykues ua ka vazhduar masën e paraburgimit të gjithë të dënuarve nga Gjykata Themelore në këtë rast.
Pesë të akuzuarit në rastin e njohur si “Badovci” ishin dënuar për "përgatitjen e sulmeve terroriste" ku Besnik Latifi ishte dënuar me 13 vjet burgim, Gazmend Haliti me 12 vjet, Milazim Haxhija me 10 vjet e 3 muaj, Enis Latifi me 10 vjet dhe Fehmi Musa me 4 vjet burgim
Por më pas ky rast ishte kthyer në rigjykim pasi Gjykata Supreme kishte prishur dy vendimet, atë të Gjykatës Themelore dhe të Apelit që ua kishte vërtetuar dënimin të akuzuarve e këtij grupi me 49 vjet burgim në total.
Më poshtë shihni detajet nga storia e përgatitur nga Klan Kosova që ka përcjellë zhvillimet kryesore në këtë proces gjyqësor.