Lajmet e fundit

Gjykata e Apelit në Durrës e ka dhënë sot vendimin përfundimtar për mandatin e kryebashkiakes së re të qytetit bregdetar Valbona Sako, duke rrëzuar kështu vendimin e Gjykatës së Durrësit si dhe duke pushuar gjykimin për këtë çështje.
Valbona Sako ka fituar nën siglën e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 30 qershorit, por gjykatësja e shkallës së parë Mimoza Margjeka e konsideroi procesin zgjedhor nul me pretendimin se Bindja Demokratike e Astrit Patozit ishte regjistruar me vonesë.
Por, vetëm dy ditë pasi gjykatësja Margjeka nuk i dha mandatin, kolegu i saj Shpëtim Reka me një vendim tjetër të shkallës së parë e njohu mandatin e Sakos, shkruan Top Channel.
Herën e dytë, kërkesa për njohjen e mandatit të Sakos u bë nga Partia Socialiste dhe ishte firmosur nga kryetari i PS-së, njëherazi edhe kryeministër i vendit Edi Rama.
Megjithëse gjykata herën e dytë ia njohu mandatin, Sako u shpreh se do ta ankimonte vendimin e Margjekës, ndaj sot e pyetur për dy vendimet e kundërta për mandatin e saj nga Gjykata e Durrësit, Sako u shpreh "Uroj që të mos ketë më vendime të padrejta nga Gjykatat as për Valbonën e as për qytetarët shqiptarë".
Ajo tha se "Gjykata e Durrësit dha vetëm një vendim të formës së prerë, tjetri ishte një vendim i padrejtë dhe që u prish nga Apeli”.