Lajmet e fundit

Drejtori i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka deklaruar se miratimi i rezolutës për gjenocid në Kuvendin e Kosovës do të ishte pengesë për zhvillimin e një dialogu normal në mes Prishtinës dhe Beogradit dhe do të vinte në dyshim të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në Bruksel.
Për gazetën b92 në SERBI, Gjuriq ka thënë se është i sigurt që përfaqësuesit serbë në Kuvendin e Kosovës nuk do të mbështesin një propozim të tillë dhe ka vënë në dukje se ky vendim nuk duhet marrë pa u konsultuar me serbët që jetojnë në Kosovë, transmeton Klan Kosova.
“nëse kjo rezolutë kalon në kuvend, kjo do t’i vështirësonte bisedimet për normalizimin e raporteve dhe konsiderojmë se një lëvizje e tillë do të ishte armiqësore për vendin dhe popullin tonë”, ka thënë Gjuriq.
Duke folur për vendimin e Kuvendit për të riproceduar votimin e Speciales, ai ka thënë se nuk ka besim në vullnetin politik të Prishtinës për t’i ndjekur penalisht krimet e luftës.
“Shumë prej tyre e kanë veshur vetë uniformën e UÇK-së gjatë luftës”, ka thënë Gjuriq, duke e ritheksuar se mesazhi nga Beogradi dhe bashkësia ndërkombëtare, kërkon fillimin e ndjekjes së kriminelëve.
I pyetur se nëse formimi i Gjykatës do të çojë në destabilizimin e Kosovës, ai ka thënë se ka shumë koka të nxehta që kërkojnë të shkaktojnë konflikte, por megjithatë ka institucione përgjegjëse që do të sigurojnë paqen.
Drejtori Gjuriq e ka quajtur cinik dhe të çmendur aplikimin e Kosovës për në Agjencinë e Kombeve te Bashkuara për Arsim dhe Kulturë, duke shtuar se diplomacia do të ndërmarrë ç’është e nevojshme që ta parandalojë anëtarësimin e shtetit kosovar në atë organizatë.