Lajmet e fundit

Drejtori i Zyrës për Kosovën Marko Gjuriq, duke komentuar mbi vendimin e qeverisë holandeze për ta themeluar Gjykatën Speciale në Hagë, tha se shpreson që ky institucion, të tregojë më shumë vendosmëri dhe efikasitet se sa Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.
Ai kujton se ishte pikërisht Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë, që pa sukses ishte përpjekur që të hedhë dritë mbi disa nga krimet e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe shtori se “në vend të drejtësisë kemi pasur një fushatë të organizuar të frikësimit dhe likuidimit të dëshmitarëve”.
“Shpresojmë që gjykata e re të tregojë më shumë vendosmëri dhe efikasitet, dhe se kriminelët më në fund do të dënohen nga ana e drejtësisë. Serbia me patjetër do të ndihmojë që krimet e terroriste të UÇK-së të dalin në pah dhe kriminelët të dënohen”, ka thënë Gjuriq, shkruan Tanjug, transmeton Klan Kosova.
Gjuriq është shprehur se i mbështetë të gjitha përpjekjet që ata që janë përgjegjës për krime të luftës, të sillen para drejtësisë.
Qeveria holandeze ka konfirmuar se Gjykata Speciale për krime lufte në Kosovë gjatë vitit 1999-2000 do të ngrihet në Hagë. Kjo gjykatë zyrtarisht do të quhet “Institucioni Special Juridik i Rilokuar i Kosovës” dhe do të jetë i financuar nga Bashkimi Europian, raporton BBC, përcjellë Klan Kosova.
Gjykata që selinë do ta ketë në Hagë, është Gjykata Speciale e cila do të trajtojë krimet e supozuara të luftës të kryera në Kosovë nga Ushtria Çlirimtare gjatë konfliktit të fundit të armatosur.