Lajmet e fundit

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre Serbe për Kosovën, Marko Gjuriq tha sot se dokumenti i miratuar nga Prishtina nuk është një Platformë për Dialog, por kundër dialogut me Beogradin dhe po kthehet në një kolaps të dialogut.
"Ajo që ata kanë miratuar nuk ka të bëjë aspak me qëllimin për të arritur një marrëveshje. Kjo është një listë e dëshirave të separatistëve në Prishtinë, një dokument jorealist që synon shkatërrimin e dialogut dhe prishjen e tij", tha ai, transmeton Klan Kosova.
Platforma e Dialogut e përpiluar nga Ekipi Negociator i Kosovës i është dorëzuar sot Kuvendit të Kosovë.
Kjo Platformë përcakton parimet dhe qëndrimin zyrtar të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut.
Përmes saj synohet arritja e konsensusit sa më të gjerë politik dhe shoqëror në procesin e dialogut me Serbinë.
Në këtë dokument thuhet se qëllimi kryesor i Republikës së Kosovës është që nga Republika e Serbisë të sigurojë njohjen dhe pranimin e qartë të sovranitetit të Kosovës si shtet i pavarur, me zotime ligjërisht të detyrueshme.
Më tej thuhet se Marrëveshja përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e detyrueshme duhet të jetë e qartë dhe pa dykuptimësi. “Përvoja tregon se qasja e dykuptimёsisё konstruktive ka rezultuar në zbatimin asimetrik të marrëveshjeve të arritura deri më tani”, thuhet më tej.
“Çdo marrëveshje përfundimtare duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila parasheh që ‘sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me këtë Kushtetutë dhe me ligj'”./klankosova.tv/.