Lajmet e fundit

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka urdhëruar të premten Izraelin që t’i marrë të gjitha masat për të parandaluar akte të gjenocidit në Gazë.
Ajo nuk ka marrë vendim për të urdhëruar armëpushim në Gazë, por I ka kërkuar Izraelit që të frenojë vdekjet dhe dëmet.
Gjykata ka thënë të premten se ka juridiksion për të vendosur për masa urgjente, të kërkuara nga Afrika e Jugut, në rastin kundër Izraelit, në luftën e tij kundër Hamasit në Gazë.
Hamasi, grup palestinez që udhëheq Rripin e Gazës, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
Gjykata ka thënë se Izraeli duhet të sigurohet që forcat e tij nuk kryejnë gjenocid dhe marrin masa për të përmirësuar situatën humanitare në Gazë.
Sipas saj, Izraeli duhet t’i raportojë gjykatës brenda një muaji për të treguar se çfarë po bën për të zbatuar urdhrin.
Gjykata ka thënë se nuk do të refuzojë rastin, siç ka kërkuar Izraeli.
Në mesin e masave të kërkuara prej Afrikës së Jugut, përfshihet ndalja e menjëhershme e operacionit ushtarake të Izraelit në Gazë, si pasojë e të cilit janë vrarë më shumë se 25.000 palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.
Kryetarja e trupit gjykues, Joan Donoghue, ka thënë se gjykata është “thellësisht e shqetësuar” nga vazhdimi i humbjes së jetëve dhe vuajtjeve të njerëzve./REL