Lajmet e fundit

Ardian Gjini, Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në emisionin Zona B në Klan Kosova, duke komentuar mbi kandidimin e të parit të Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçit për President të Kosovës, ka thënë se një gjë e tillë do të ishte e gabueshme, për shkak se ai është i korruptuar dhe s’është figurë unifikuese e shtetit.
“Thaçi nuk është figurë unifikuese në Kosovë, e madje është pak të qenit figurë unifikuese. Thaçi është figurë që nuk e ka luftuar krimin për të mos thënë ka qenë pjesë e krimit të organizuar, ka dështuar me UNESC-on e po ashtu edhe me liberalizimin e vizave. Ai nuk është unifikues sepse kur VLAN ishte bashkuar kundër tij, votuesit e LDK-së kishin dalë në rrugë duke festuar”.
Sipas Gjinit, deputetët e Kuvendit të Kosovës që i përkasin LDK-së, që nuk duan ta votojnë Hashim Thaçin për president, nuk duhet të jenë fare prezent në sallë. Kjo mendon Gjini, duhet të ndodhë për shkak se nuk duhet krijuar kuorum në momentin e votimit të tij për president të shtetit.
“Disa deputetë që nuk duan të shkojnë në zgjedhje sidomos të LDK-së, po thonë që do të votojnë kundër Thaçit, nuk duhet të marrin pjesë fare në seancën e votimit.
“Është absurditet të rrihet në sallë. Ai deputet që rri në sallë ai voton për Thaçin pavarësisht se si voton. Opozita nuk ka logjikë që të bëjë korum në momentin kur votohet Thaçi, por edhe deputetët e LDK-së duhet të dalin jashtë.
Gjini nuk e ka bërë të ditur se ku do të jenë deputetët e opozitës kur do të votohet Hashim Thaçi për president, mirëpo ai ka dhënë një alternativë, sheshin e kryeqytetit.
“Nuk dihet ku do ta presim zgjedhjen e presidentit, ndoshta në sallë por me siguri në shesh. Pra mund të ndodhë që edhe prej sheshit do ta shikojmë.