Lajmet e fundit

Komuna e Gjilanit, përkatësisht Drejtoria e Bujqësisë, ua ka shpërndarë sot fermerëve 70 mjete të punës (mekanizim bujqësor), të cilat do t’ua lehtësojnë shumë punimin e tokës.
Në shpërndarjen e mekanizimit, ka marrë pjesë kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dhe drejtori i Bujqësisë, Ramiz Ramadani.
“Heroi më i madh i komunës sonë është ai që e punon tokën. Ajo familje që e punon tokën, është familja më e pavarur që e ka sot Kosova. Duke e punuar tokën, njeriu tregon sa e do familjen, sa e do Komunën dhe sa e do shtetin e tij. Do të vazhdojmë t’ju mbështetsim edhe në të ardhmen edhe mekanizëm bujqësor për ta bërë punën më të lehtë, edhe me fond të blegtorisë”, ka thënë Haziri, transmeton Klan Kosova.
Ai ka paralajmëruar se për vitin e ardhshëm do të këtë rritje të buxhetit për bujqësisë, në mënyrë që të forcohet sa më shumë familja gjilanase.
“Për vitin e ardhshëm do ta rrisim buxhetin për bujqësinë sepse pare më hallall se të japim për bujqësinë, nuk ka. Po paralajmëroj se edhe në vitin e ardhshëm edhe duhanin do ta stimulojmë si kulturë në Gjilan, që Gjilani ka traditë. Poashtu, vitin e ardhshëm do ta rrisim edhe fondin për partnerët dhe fondin e brendshëm në mënyrë që t’ua ulim shpenzimet deri në zero dhe ju ato para t’i shpenzoni për të mirat në familje. Do ta keni mbështetjen time deri në fund”, është shprehur kryetari Haziri.
Nga ana e tij, drejtori I Bujqësisë së Gjilanit, Ramiz Ramadani, ka nënvizuar se sot kanë përfituar 70 bujqit më meritor të Gjilanit, derisa ka paralajmëruar se Komuna ka aplikuar në një organzizatë edhe për 70 të tjera.
Përndryshe, nga mjetet e shpërndara sot, 30 janë spërkatëse 440 litërshe, 10 rotofreza, 10 kositëse rotative, 10 grumbulluese të sanës dhe 10 pijatore me 24 disqe.